Organizimi i fushatave politike kërkon ekip dhe plan të detajuar të komunikimit ku duhet përcaktuar mirë audienca të cilës i drejtoheni për të marr votën e njëkohësisht kanalet e komunikimit për të arritur këtë audiencë.
Mbi të gjitha duhet gjetur mënyrën e prezantimit të planprogramit me të cilin garoni duke përdorur një formë të komunikimit gjithnjë në përshtatje të audiencës.
Fushatat politike mund të jenë jashtëzakonisht emocionuese në momentin e lansimit e njëkohësisht edhe disa ditë para zgjedhjeve ngase intensifikohen aktivitetet.
Pika kryesore e fushatës
Periudha në mes të fushatës është ajo periudha e artë ku ekipet e PR-it duhet të mblidhen së bashku për t’i mbajtur votuesit të angazhuar për kandidatët e tyre dhe programin e tyre politik. Ky entuziazëm në zhvillim dhe rritje është i nevojshëm për të arritur sukses afatgjatë në çdo garë politike.
Për ta mbajtur votuesin potencial të interesuar për kandidatët tuaj, duhet gjithsesi që të jeni atraktiv dhe kreativ deri në ditën e zgjedhjeve.
Shpalosja e planprogrameve
Këtë herë, për dallim nga zgjedhjet e viteve të tjera, votuesit kanë pasur mundësi që programet e kandidatëve t’i gjejnë në platforma të ndryshme dhe kjo ka një përparësi të madhe për ata që votojnë në bazë të programeve.
Vëmendja ndaj elektoratit të ri
Si në çdo palë zgjedhje, edhe në këto të këtij viti do të ketë një numër relativisht të madh të votuesve të rinj dhe çasja ndaj tyre duhet bërë më me kujdes. Meqë po jetojmë në një epokë digjitale, sigurisht kërkesat e tyre janë shumë inovative. Kandidatët kësaj radhe kanë qenë shumë konkret në këtë pikë duke ofruar mundësi për t’i zhvilluar planet e tyre për të rinjtë e vendit.
Paraqitja në debatet televizive
Aftësitë inovative të kandidatëve për kryetarë komunash e atyre për asamble, kemi pasur rastin t’i shohim këto ditë, meqë zgjedhjet e këtij muaji po mbahen nën masa kufizuese për shkak të pandemisë.
Ishte një dallim shumë i madh nga e kaluara, meqë ishim mësuar me fushata tradicionale. Kjo fushatë ka dhënë shumë mundësi që kreativiteti të jetë në plan të parë dhe çasja jokonvencionale ka sjellur shumë gjëra interesante.
Në fakt, kjo duket që është përdorur në mënyrë perfekte, duke i bërë kandidatët që të jenë të përgatitur për debate, për t’i ndarë fiks në kohë pikat kryesore të programeve të tyre duke u përqendruar në pikat e forta të tyre dhe në të dobëtat e kundër kandidatëve.
Bëhuni inovativ me mediat sociale Tashmë ju e dini fuqinë të cilën e kanë rrjetet sociale për të bërë ose prishur fushatën tuaj politike. Nëse nuk e përdorni atë në mënyrë efektive, ju dëmtoni shanset e kandidatit tuaj për të fituar garën. Ndërsa, për t’i mbajtur votuesit të ngazëllyer për fushatën tuaj, duhet t’i kontaktoni në platforma të shumta të mediave sociale, ku Facebook dhe Instagram rezultojnë të jenë platformat më të përdorura në Kosovë. Pasi të jeni në këto platforma, duhet të keni një plan të komunikimit.
Elektorati nuk dëshiron të dëgjojë të njëjtat biseda të vjetra politike. Kjo është arsyeja pse ju duhet të bëheni inovativ me mënyrën se si bashkëveproni me votuesit përmes mediave sociale. Krijoni kampanja, sondazhe, lojëra, sfida dhe ide të tjera argëtuese për të tërhequr votuesit dhe për t’i mbajtur ata në anën tuaj.