Rëndësia e përgatitjes për intervistë në televizion

Shpesh herë Intervistat për televizion mund të jenë shumë të vështira, sidomos ku ato janë live. Por, nëse arrijmë të përgatitemi dhe të kemi parasysh se si ti shfrytëzojmë disa këshilla mund t’ia dalim mbanë.

Intervista live

Përparësia e intervistave që realizohen live është se ato nuk lënë mundësi për keqinterpretime. Edhe pse të gjithë i shqetëson mundësia e bllokimit kur janë në emision “live”, në praktikë kjo ndodh shumë rrallë.

Kujtoni të gjithë intervistat e njerëzve që i keni parë dhe sa do që të mundoheni vështirë se do t’ju kujtohet dikush që ka humbur krejtësisht fillin në intervistë. Adrenalina ju ndihmon të vazhdoni më tej. Tregojini intervistuesit nëse nuk keni përvojë apo jeni nervoz para intervistës. Ata do t’ju ndihmojnë meqenëse janë shumë të interesuar që emisioni të shkojë sa më mirë që është e mundur.

Intervista e incizuar

Përparësia e intervistës së incizuar qëndron në faktin se nëse nuk jeni të kënaqur me ndonjë pjesë të intervistës apo intervistën në tërësi, ajo mund të përsëritet, por nuk duhet përdorur këtë praktikë shumë shpesh. Disavantazhi i saj është se bëheni shumë të varur në mundësinë e ri-incizimit të pjesëve ku keni gabuar, që rezulton me një intervistë të ngathët, jo mirë të konceptuar

Këshilla më e mirë: Edhe pse teorikisht intervistat mund të incizohen përsëri nëse bëni gabime, nuk ka garanci se redaktori do ta përdor ‘regjistrimin e përsëritur’. Prandaj gjithmonë duhet të përpiqeni të jepni më të mirën gjatë incizimit të parë.

Këshillat më të mira për intervistat në televizion

Kur përgatiteni të jepni intervistë në televizion mos harroni se mesazhin e dërgoni jo vetëm me atë që thoni, por edhe si dukeni.

Hulumtimet tregojnë se gjatë intervistave në televizion:

• 70 për qind të mesazhit e përcjell pamja e personit
• 20 për qind të mesazhit e përcjell mënyra e të shprehurit
• 10 për qind të mesazhit e përcjell ajo që ju thoni.

Por kjo nuk do të thotë se ajo që thoni nuk është me rëndësi. Në momentin kur thoni diçka të gabuar, fokusi zhvendoset nga mënyra se si dukeni dhe se si shpreheni dhe përqendrohet në atë që po thoni.

Çka duhet të vesh?

Kur visheni për televizion është me rëndësi që mesazhin tuaj ta harmonizoni me dukjen. Vishni uniformë/veshje zyrtare. Kjo do t’ua rrisë kredibilitetin e funksionit të zëdhënësit dhe do të sigurojë që audienca të mos e humb vëmendjen. Publiku duhet të dëgjojë atë që ju thoni dhe jo të shpërqendrohet duke vështruar atë që keni veshur.

-Sherife Kçiku Vishaj